Kalo te përmbajtja kryesore
OpenAI

Kodi i Praktikës i BE-së dhe e ardhmja e IA-së në Evropë

Sfond abstrakt me valëzime të buta gradienti në të verdhë e të bardhë dhe vija drite të turbulluara.
Duke ngarkuar…

Sot po njoftojmë synimin tonë për të nënshkruar Kodin e Praktikës të BE-së për IA-në me Qëllim të Përgjithshëm, me kusht që versioni aktual të miratohet zyrtarisht nga Bordi i IA-së gjatë vlerësimit të ardhshëm të përshtatshmërisë. Kodi është një kuadër që u mundëson zhvilluesve të IA-së të respektojnë Aktin e BE-së për IA-në. Për më shumë informacion rreth Aktit dhe detyrimeve të tij, shihni udhëzuesin tonë këtu.

Njëkohësisht, në përgjigje të interesit të jashtëzakonshëm të qeverive dhe bizneseve evropiane që duan të shfrytëzojnë potencialin e IA-së, po nisim nismënOpenAI për Vendet: Zbatimi në Evropë”, për t’iu përveshur punës për ndërtimin e së ardhmes së IA-së në Evropë. 

Teknologjia jonë është bërë thelbësore për miliona evropianë. Shtetet anëtare të BE-së janë ndër tregjet tona kryesore në botë për abonentët, zhvilluesit e API-ve dhe klientët e biznesit. Çdo ditë, njerëzit, zhvilluesit, institucionet, bizneset e reja dhe sipërmarrjet kryesore po krijojnë mundësi ekonomike në mbarë kontinentin duke:

Kodi i Praktikës i hap rrugën Evropës që të çojë përpara Planin e Veprimit të BE-së për Kontinentin e IA-së, të shpallur në prill, dhe të zgjerojë ndikimin e IA-së që ndihet që sot. 

Evropa duhet të zhvillojë dhe të mbështesë talentet e IA-së në kontinent; të përkrahë zhvilluesit dhe sipërmarrësit vendas të IA-së, që përfaqësojnë bizneset, vendet e punës dhe të ardhurat e së ardhmes; si dhe t’u japë më shumë njerëzve mjete të IA-së për ta çuar Evropën përpara. 

Në Evropë, vëmendjen e ka marrë tepër shpesh rregullimi ligjor. Tani është koha ta ndryshojmë rrjedhën dhe ta shfrytëzojmë këtë moment për t’u dhënë mundësi novatorëve të Evropës të sjellin risi dhe ndërtuesve të ndërtojnë të ardhmen e saj.

Kodi i Praktikës i BE-së 

IA-ja është një teknologji themelore për shtetndërtimin, e ngjashme me energjinë elektrike, që do të transformojë ekonomitë dhe do të sjellë rritjen aq të nevojshme duke nxitur produktivitetin. Ndryshe nga teknologjitë e mëparshme të epokës moderne digjitale, që nxirrnin vlerë nga Evropa dhe i largonin përfitimet ekonomike prej saj, IA-ja është një teknologji prodhuese që, po t’i vihet gjerësisht në dispozicion publikut, do ta zgjerojë ekonominë duke u dhënë njerëzve mjete për të bërë më shumë. 

Sfida për Evropën është të sigurojë që qytetarët e saj të kenë mundësi ta formësojnë dhe të përfitojnë nga një IA e Evropës, e krijuar nga Evropa dhe për Evropën. 

Për ta arritur këtë synim, respektimi i Kodit dhe i kuadrit të bazuar në rrezik të Aktit për IA-në duhet të jetë sa më i thjeshtë dhe efikas për bizneset e reja vendase dhe sipërmarrjet më të vogla, të cilat do të jenë udhëheqëset e ardhshme të ekonomisë evropiane me IA-në në qendër. Ne kemi mbrojtur thjeshtimin dhe harmonizimin më të madh për të mbështetur këto kompani të brezit të ardhshëm dhe do të vazhdojmë t’i përkrahim shqetësimet e tyre, pasi ato janë thelbësore për një IA të Evropës, nga Evropa dhe për Evropën. 

Pjesë e një strategjie më të gjerë të BE-së për IA-në 

Në fund të fundit, Kodi i Praktikës do të funksionojë më mirë nëse harmonizohet me Planin e Veprimit për Kontinentin e IA-së, për të formuar shtyllën kurrizore të një strategjie të guximshme dhe të unifikuar evropiane për IA-në. Ne e nxitim Bordin e IA-së dhe shtetet anëtare që ai përfaqëson ta përqafojnë e ta realizojnë këtë vizion, duke e kthyer IA-në në burim mirëqenieje dhe përparimi.  

Së bashku, Kodi dhe Plani i Veprimit duhet të nxisin zhvillimin e infrastrukturës së IA-së që i nevojitet Evropës, duke siguruar që njerëzit, bizneset dhe veçanërisht zhvilluesit e bizneset e reja të kenë mjetet për të konkurruar dhe udhëhequr në skenën botërore.

BE-ja duhet të vlerësojë se si kuadri i saj rregullator mund të ndikojë në ritmin e përvetësimit të IA-së dhe në disponueshmërinë e burimeve bazë të saj, përfshirë energjinë dhe të dhënat e trajnimit. Kjo do të jetë e rëndësishme për të garantuar konkurrueshmërinë e Evropës dhe për të trajtuar
hendekun e kahershëm të produktivitetit(hapet në një dritare të re) me SHBA-në. 

Strategjia e BE-së duhet të ofrojë gjithashtu sigurinë dhe qartësinë afatgjatë që nevojiten për të çliruar investimet kapitale të domosdoshme për ndërtimin e kësaj infrastrukture.

Për ta kthyer potencialin në përparim, po nisim një fushatë për infrastrukturën evropiane të IA-së, duke përdorur Kodin si pikënisje për të përshpejtuar zhvillimin e një IA-je evropiane që sjell përfitime reale ekonomike.

OpenAI për Vendet: Zbatimi në Evropë

Plani ynë Ekonomik për BE-në ishte i qartë: OpenAI beson fuqimisht se, me vizionin dhe zbatimin e duhur, Evropa mund ta shfrytëzojë IA-në për të nxitur rritjen dhe për t’u renditur mes udhëheqësve botërorë të këtij kapitulli të ri teknologjik. 

Në maj nisëm OpenAI për Vendet, nismën tonë për të mbështetur vendet anembanë botës që duan të zhvillojnë infrastrukturën e tyre të IA-së, përfshirë qendrat e të dhënave, aftësitë dhe talentet e fuqisë punëtore, mbështetjen për bizneset e reja vendase e të tjera. Tani jemi gati ta zgjerojmë punën tonë në Evropë.

Gjatë verës dhe deri në vjeshtë, do të takohemi me qeveri, biznese dhe palë të interesuara në Evropë për të realizuar: 

  • Kapacitetin e qendrave të të dhënave: Evropës do t’i nevojitet infrastruktura e duhur për të udhëhequr në IA. Për këtë arsye, kemi paraqitur shprehje interesi për t’iu bashkuar konsorciumeve të nismës së BE-së për Gigafabrikat e IA-së, me qëllim ndërtimin e infrastrukturës së gjeneratës së ardhshme të IA-së në Evropë. Këto projekte janë në fazë të hershme, por kanë potencialin të fuqizojnë të ardhmen e Evropës, të mbështesin industri të reja vendase dhe të sigurojnë kapacitet sovran përpunimi. 
  • Arsimi i fuqizuar nga IA-ja: Miliona nxënës, studentë dhe mësues në mbarë botën po përdorin tashmë ChatGPT për të personalizuar të nxënit.  Jemi krenarë që bashkëpunojmë me qeverinë e Estonisë në një nismë të parë në botë për ta vënë ChatGPT Edu në dispozicion të shkollave të mesme në mbarë vendin dhe kemi marrë shprehje interesi nga qeveri të tjera të BE-së për të bërë të njëjtën gjë. 
  • Partneritetet strategjike me qeveritë: Po vazhdojmë të zgjerojmë ofertën tonë për sektorin publik dhe duam të punojmë me qeveritë evropiane për një model të ri partneritetesh publike-private, të përshtatshëm për epokën e IA-së. Ne ofrojmë tashmë qëndrimin e të dhënave në BE dhe mundësinë për ta përshtatur ChatGPT me kulturat dhe gjuhët vendase. Duam të bashkëpunojmë me qeveritë evropiane teksa ato e përshtatin dhe e zbatojnë IA-në për nevojat e tyre sovrane, në përputhje me vlerat vendase.
  • Fondet kombëtare për bizneset e reja të IA-së: Për t’i kthyer idetë novatore në histori suksesi evropiane, OpenAI është e interesuar të ndihmojë qeveritë e gatshme të krijojnë fonde të posaçme kombëtare për financimin fillestar të bizneseve të reja të IA-së me potencial të lartë. Duke mbështetur themeluesit vendas dhe duke ofruar qasje të hershme në teknologjinë më të përparuar e mbështetje teknike, çdo fond do t’u shërbente përparësive kombëtare dhe do të krijonte vende pune, të ardhura dhe industri të reja. 
  • Përvetësimi i IA-së: Në shtator do të jemi në Bruksel me Allied for Startups dhe ekosistemin më të gjerë për të organizuar një maratonë politikash për IA-në, të përqendruar te një synim: nxitja e përvetësimit në çdo sektor të ekonomisë evropiane.

OpenAI është e përkushtuar të japë kontributin e vet për realizimin e synimeve mbarëkontinentale të Evropës për IA-në dhe do të ndajmë më shumë informacione për ecurinë e këtyre nismave gjatë verës e deri në vjeshtë. 

IA e përgjegjshme

Nënshkrimi i Kodit pasqyron përkushtimin tonë për t’u ofruar evropianëve modele të afta, të qasshme dhe të sigurta të IA-së, në mënyrë që të marrin pjesë plotësisht në përfitimet ekonomike dhe shoqërore të Epokës së Inteligjencës.

Modelet tona i kemi zhvilluar gjithmonë duke vendosur në plan të parë transparencën, llogaridhënien dhe sigurinë, parime që pasqyrohen edhe në Kod.

Nënshkrimi i Kodit përforcon shumë nga masat udhëheqëse të industrisë për sigurinë dhe transparencën, të cilat i kemi ndërmarrë gjatë viteve të fundit, përfshirë nënshkrimin e Deklaratës së Bletchley-t (nëntor 2023) dhe Kuadrit të Seulit (maj 2024).

Pas samitit të Bletchley-t, ishim ndër kompanitë e para që publikuam një protokoll gjithëpërfshirës sigurie, Preparedness Framework (2023), i cili përshkruan qasjen tonë për vënien në përdorim në mënyrë të sigurt të modeleve avangardë të IA-së. Në përputhje me Kuadrin e Seulit dhe angazhimin tonë për të shqyrtuar vazhdimisht kuadrot e brendshme të llogaridhënies dhe qeverisjes, në prill 2025 publikuam një version të përditësuar të Preparedness Framework. 

Kemi zhvilluar gjithashtu praktika sigurie udhëheqëse në industri, që përcaktojnë mënyrën se si e zhvillojmë dhe e vëmë në përdorim teknologjinë tonë me përgjegjësi, duke përfshirë: 

E gjithë kjo punë ka luajtur rol vendimtar në përcaktimin e standardeve të sigurisë në industri dhe në hartimin e një Kodi Praktike të zbatueshëm. Ne do të vazhdojmë ta përmirësojmë hap pas hapi qasjen tonë ndaj sigurisë, për të ndihmuar që teknologjia jonë të përdoret me përgjegjësi në dobi të të gjithëve, kudo që ndodhen në botë.

Autor

OpenAI