OpenAI

Updated: 10 nëntor 2026

Politika për agjentët e biznesit

Agjentët e biznesit i ndihmojnë njerëzit të mësojnë për një biznes dhe produktet ose shërbimet që ofron, përmes një bisede në ChatGPT. Kjo politikë zbatohet kur një biznes ose përfaqësuesi i tij i autorizuar krijon, publikon ose redakton një agjent dhe mbulon edhe udhëzimet, informacionin, lidhjet, formularët dhe mjetet që i vihen në dispozicion agjentit. Bizneset duhet të respektojnë ligjet dhe rregulloret e zbatueshme, si dhe politikat e përdorimit⁠ të OpenAI dhe politikat e tjera përkatëse, duke përfshirë politikën për Businesses in ChatGPT⁠ dhe politikat e tregtisë⁠ për burimet e të dhënave të produkteve. Kur një agjent promovohet përmes një reklame, mund të zbatohen politika shtesë për reklamat.

Përfaqësoni me ndershmëri një biznes që plotëson kriteret

Krijoni ose menaxhoni një agjent vetëm për një biznes që zotëroni ose që jeni të autorizuar ta përfaqësoni. Mos u hiqni si një biznes tjetër. Mos jepni informacion të rremë për pronësinë, lidhjet, kualifikimet ose miratimet e biznesit. Agjenti duhet ta bëjë të qartë se është një sistem i inteligjencës artificiale që përfaqëson biznesin. Mos lini të kuptohet se agjenti është një këshilltar i pavarur ose një person, apo se ka miratimin e OpenAI. Jepni çdo informacion që kërkohet të deklarohet. Para se të lejojmë publikimin, marrim parasysh si kategorinë e biznesit, ashtu edhe përdorimin e synuar të agjentit. Mund ta refuzojmë qasjen në bazë të politikave tona ose ta shtyjmë miratimin e një kategorie derisa të mund ta mbështesim në mënyrë të sigurt. Vetëm verifikimi i biznesit nuk garanton se agjenti i plotëson kushtet.

Sigurohuni që informacioni për biznesin të jetë i saktë

Informacioni që jepni duhet ta pasqyrojë me vërtetësi biznesin. Mbajeni të përditësuar. Mos e udhëzoni agjentin të shpikë oferta, çmime, disponueshmëri, kredenciale, vlerësime, garanci ose rezultate. Mos fshihni tarifat, kushtet ose kufizimet e rëndësishme kur ato kanë rëndësi për pyetjen e përdoruesit. Mund ta përshkruani biznesin tuaj me fjalët tuaja, por pohimet konkrete nuk duhet t'i çorientojnë njerëzit. Lidhjet duhet të lidhen me biznesin tuaj dhe të tregojnë saktë se ku çojnë

Përdoreni agjentin në mënyrë të sigurt

Agjenti juaj dhe materiali që i jepni duhet të jenë në përputhje me politikat e OpenAI për përdorimin⁠. Mos përdorni udhëzime, shembuj, përmbajtje nga faqet e internetit, skedarë, lidhje, formularë ose mjete të lidhura për të anashkaluar masat mbrojtëse të OpenAI ose për të lehtësuar veprimtari të ndaluara. Mos përdorni sajte phishing, programe keqdashëse ose ridrejtime mashtruese. Mos e udhëzoni agjentin të shpërfillë ose të nënvlerësojë një shqetësim të përdoruesit për sigurinë që kërkon vëmendje të menjëhershme, si një urgjencë e mundshme mjekësore ose një rrezik për dikë.

Respektoni përdoruesit dhe informacionin e tyre

Mos e konfiguroni agjentin që t'u bëjë presion njerëzve, të krijojë një ndjesi të rreme urgjence, të shfrytëzojë cenueshmërinë e tyre apo të vazhdojë të këmbëngulë për një shitje ose për kontakt të mëtejshëm pasi dikush të ketë refuzuar. Agjenti mund të ofrojë kontakt të mëtejshëm si mundësi dhe të mbledhë të dhënat e nevojshme të kontaktit përmes një funksioni të miratuar, kur përdoruesi zgjedh t’i japë ato. Mos kërkoni informacion personal të panevojshëm ose me rrezik të lartë – përfshirë të dhëna shëndetësore, tipare të mbrojtura, dokumente identifikimi të lëshuara nga qeveria ose kredenciale financiare apo të autentikimit – dhe mos e përdorni atë për të përshtatur ofertën e shitjes. Mos e udhëzoni agjentin të ndajë informacionin e përdoruesit me biznesin tuaj ose të paraqesë një formular, të bëjë një rezervim apo të kryejë një blerje në emër të përdoruesit pa autorizim të qartë përmes një funksioni të miratuar. Agjenti mund të japë një lidhje përkatëse që përdoruesi zgjedh ta hapë, por nuk duhet të paraqesë në mënyrë të rreme se ku të çon ajo ose ta përdorë për të anashkaluar këto rregulla të mbledhjes së të dhënave. Mos përdorni pretekste mashtruese për të marrë informacion personal, përfshirë duke u kërkuar përdoruesve të ngarkojnë imazhe ose dokumente që zbulojnë të dhëna me rrezik të lartë.

Qëndroni brenda rolit të miratuar të agjentit

Agjenti mund të shpjegojë çfarë ofron biznesi dhe të japë informacion të përgjithshëm, por nuk duhet t'u japë përdoruesve këshilla për të cilat ligji kërkon licencë profesionale, të automatizojë vendime me pasoja të rëndësishme pa shqyrtim nga një person ose të pretendojë se ka kredenciale profesionale. Mos e udhëzoni agjentin të garantojë rezultate ose të ndërmarrë veprime që tejkalojnë aftësitë e miratuara ose autorizimin e dhënë nga përdoruesi.

Shqyrtimi dhe zbatimi i politikës

Këto rregulla zbatohen kur krijoni një agjent dhe sa herë që e përditësoni. Nëse konstatojmë një problem, mund ta pezullojmë ose ta heqim agjentin tuaj dhe t'ju kërkojmë të bëni ndryshime. Përditësimet duhet të pasqyrojnë vendimet e marra pas shqyrtimit dhe të mos i anashkalojnë ato. Në varësi të problemit, mund të kufizojmë disa funksione, të pezullojmë ose të heqim një agjent ose të kufizojmë mundësinë e një biznesi për të krijuar apo menaxhuar agjentë, veçanërisht kur problemet janë serioze ose përsëriten. Bizneset janë përgjegjëse për informacionin dhe udhëzimet që japin. Mund ta përditësojmë këtë politikë në bazë të asaj që mësojmë.