Vendosja e një standardi të ri për infrastrukturën e IA-së së përgjegjshme
Angazhime të reja ndaj komuniteteve ku ndërtojmë dhe propozime të politikave për të ndihmuar që të përfitojnë më shumë amerikanë.
Premtimi i IA-së është t’u japë njerëzve më shumë mundësi për të përcaktuar të ardhmen e tyre. Ajo mund ta ndihmojë dikë të mësojë një aftësi të re, të krijojë një biznes ose të zgjidhë një problem që më parë ishte përtej mundësive të tij. Zgjerimi i kapaciteteve të infrastrukturës kompjuterike në Shtetet e Bashkuara mund të ndihmojë në uljen e kostos së ofrimit të IA-së, t’i bëjë këto mjete të disponueshme për më shumë njerëz dhe të sigurojë që Amerika të vazhdojë të jetë pionere e kësaj teknologjie.
Komunitetet ku vendoset kjo infrastrukturë duhet të kenë po ashtu një rol të qartë në përcaktimin e së ardhmes së tyre. Banorët duhet të mund të ndikojnë në mënyrën se si zhvillohet një kampus, t’u kërkojnë llogari zhvilluesve për mbulimin e kostos së furnizimit me energji dhe të përfitojnë nga vendet e punës dhe mundësitë për biznes që krijon ai. Mënyra se si i ndërtojmë këto kampuse është një nga provat e para që do të tregojnë nëse përfitimet e IA-së do të shpërndahen gjerësisht.
Sot po publikojmë Paktin Kombëtar për Komunitetet(hapet në një dritare të re) dhe një Projekt të Politikës për Kampuset Kompjuterike(hapet në një dritare të re). Ky pakt përcakton se çfarë mund të presin komunitetet nga OpenAI për kampuset e ardhshme që do të kemi në pronësi dhe do të menaxhojmë. Projekti i politikës propozon politika për të siguruar që zhvillimi i kampuseve kompjuterike t’u japë komuniteteve një rol real në vendimmarrje, t’i mbrojë familjet nga kostot e reja dhe t’i shpërndajë gjerësisht përfitimet ekonomike të IA-së.
Kjo vijon punën që nisëm në janar, kur prezantuam angazhimet e Stargate për komunitetet për t’i mbuluar vetë kostot tona të energjisë dhe për të hartuar plane sipas prioriteteve lokale. Ne vazhduam më tej me angazhime konkrete në Xhorxhia dhe Ohajo, për kostot e energjisë, përdorimin e ujit, investimet lokale dhe përgjegjësinë. Gjatë gjithë kësaj pune, ne kemi dëgjuar banorët, drejtuesit lokalë, shkollat dhe bizneset për çështjet që kanë rëndësi për komunitetet e tyre. Njoftimi i sotëm është hapi i radhës në këtë përpjekje të vazhdueshme.
Çdo kampus kompjuterik që OpenAI do të ketë në pronësi dhe do të menaxhojë në të ardhmen do të ketë paktin e vet lokal. Ne do t’i përfshijmë banorët mjaft herët për të siguruar që mendimi i tyre të ndikojë në planet e projektit, do t’u ofrojmë një pikë lokale kontakti gjatë gjithë jetës së kampusit dhe do të raportojmë në mënyrë publike çdo vit për progresin tonë. Çdo pakt do të pasqyrojë prioritetet lokale dhe do të përfshijë këto angazhime të përbashkëta:
T’i mbulojmë vetë kostot tona të energjisë dhe infrastrukturës. Ne do të paguajmë koston e plotë të energjisë elektrike që përdorim dhe të infrastrukturës së nevojshme për furnizimin. Para se të nisin shpenzimet e mëdha, ne do të ofrojmë garanci financiare që konsumatorët e tjerë të jenë të mbrojtur nëse një projekt vonohet, zvogëlohet ose anulohet.
Të mbrojmë burimet lokale dhe të raportojmë për ndikimin tonë. Ne do të zhvillojmë një plan për ujin për çdo kampus, do t’i japim përparësi ftohjes me cikël të mbyllur ose me konsum të ulët uji dhe do të bëjmë publike informacionet për përdorimin e ujit dhe energjisë elektrike për çdo kampus. Ne do të publikojmë planet e ndërtimit dhe studime të pavarura për zhurmën para fillimit të aktiviteteve dhe në çdo vit më pas. Gjithashtu, nuk do të përdorim marrëveshje konfidencialiteti (NDA) me zyrtarët publikë, duke lejuar vetëm mbrojtje të kufizuar për informacione të ligjshme në lidhje me sigurinë, sekretet tregtare ose informacionet pronësore ose delikate në këndvështrimin e konkurrencës.
Të krijojmë mundësi për punonjësit dhe bizneset lokale. Ne do të publikojmë vendet e punës që presim të krijojmë, do të bashkëpunojmë me sindikatat dhe ofruesit e trajnimeve për t’i ndihmuar banorët të përgatiten për to dhe do të raportojmë çdo vit për punësimet dhe praktikat profesionale. Ne do të bëjmë gjithashtu investime të vazhdueshme për prioritetet që zgjidhen me ndihmën e banorëve.
Këto prioritete do të ndryshojnë nga një vend në tjetrin. Në qarkun Effingham, Xhorxhia, banorët ndihmuan në përcaktimin e një granti prej 4,8 milionë $ për të ofruar vakte falas në shkollë për 14 000 nxënësit e qarkut. Në qarkun Pike, Ohajo, familjet përcaktuan kujdesin për fëmijët si prioritet, gjë që solli një angazhim të përbashkët prej 6 milionë $ nga OpenAI dhe SB Energy.
Familjet duhet të mund të mbështeten në masa mbrojtëse bazë, pavarësisht se kush ndërton një kampus në komunitetin e tyre. Angazhimet vullnetare të kompanive janë një pikënisje e rëndësishme, por plani ynë shkon më tej - ai u kërkon politikëbërësve në nivel federal, shtetëror dhe vendor të vendosin rregulla të qarta për mënyrën se si ndërton kjo industri. Kërkohen politika të reja për të krijuar besim të ndërsjellë midis komuniteteve, zyrtarëve të zgjedhur dhe kompanive. Ligjvënësit duhet të vendosin rregulla që nxisin investimet e përgjegjshme, mbrojnë banorët dhe sigurojnë që përfitimet nga infrastruktura e IA-së të shpërndahen gjerësisht.
Kjo nis me përcaktimin se kush paguan për energjinë elektrike. Komisionet shtetërore rregullatore të shërbimeve publike duhet t’u kërkojnë konsumatorëve të mëdhenj të energjisë elektrike të mbulojnë kostot shtesë që i shkaktojnë rrjetit dhe të mbrojnë konsumatorët e tjerë nëse një projekt nuk realizohet. Kompanitë e energjisë duhet gjithashtu t’u lehtësojnë kampuseve lidhjen me rrjetin, nëse ato mund ta ulin në mënyrë të sigurt kërkesën kur energjia është e pamjaftueshme. Për shembull, për kampusin tonë të planifikuar në qarkun Effingham, marrëveshja jonë me Georgia Power i lejon kompanisë ta ulë fuqinë elektrike që na furnizon deri në 1000 megavat gjatë periudhave me kërkesë të lartë. Kongresi mund të ndihmojë në përmbushjen e kërkesës në rritje duke përshpejtuar përmirësimet e rrjetit të transmetimit dhe duke rikthyer dhe zgjeruar lehtësitë tatimore për energjinë elektrike të pastër.
Komunitetet kanë nevojë po ashtu për një mënyrë për t’u kërkuar llogari zhvilluesve. Projekti i politikës kërkon një raportim publik për ujin, energjinë, zhurmën dhe punësimet, si dhe kufizime të rrepta për rastet kur zhvilluesit mund t’u kërkojnë zyrtarëve publikë të nënshkruajnë marrëveshje konfidencialiteti. Kur shtetet ose pushtetet vendore ofrojnë lehtësi tatimore, kushtet duhet të jenë publike, me angazhime të matshme dhe një mënyrë për të rikuperuar përfitimet e dhëna nëse zhvilluesi nuk i përmbush ato.
Së fundi, plani propozon mënyra praktike që një pjesë më e madhe e punës të kryhet në nivel lokal, në mënyrë që kampuset kompjuterike të mbështesin punonjësit dhe bizneset lokale. Zhvilluesit mund t’i bëjnë të ditura planet e blerjeve mjaft herët që furnizuesit lokalë të konkurrojnë për kontratat. Punëdhënësit, sindikatat e profesioneve të ndërtimit dhe kolegjet komunitare mund të përdorin parashikimet e punësimit për t’i trajnuar banorët për vendet e punës që dihet se do të hapen, nga punimet elektrike gjatë ndërtimit e deri te mirëmbajtja e sistemeve të energjisë dhe ftohjes për vite me radhë më pas.
Investimet që e ndihmojnë Amerikën të konkurrojë në nivel global mund t’i ndihmojnë po ashtu komunitetet të zhvillohen në nivel lokal. Kjo fillon duke u dhënë banorëve mundësinë të ndikojnë në vendimmarrje ndërkohë që planet mund të ndryshohen ende, si dhe një mënyrë për t’u kërkuar llogari zhvilluesve për përmbushjen e angazhimeve të tyre. Kjo është arsyeja pse ne angazhohemi në kampuset që kemi në pronësi dhe menaxhojmë, dhe besojmë se njerëzit duhet të mund të mbështeten në të njëjtat garanci kudo ku ndërtohet infrastruktura e IA-së në mbarë vendin.


